15.
15. Bujaria
15. Transmeton Ebu Hurerja [radijall-llahu anhu] se Pejgamberi [salallahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:"Allahu i Lërtëmadhëruar thotë: shpenzo që të shpenzoj për ty, pastaj tha: Dora e Allahut është përplot, nuk e pakëson shpenzimi i përhershëm, natën dhe ditën. Më pas vazhdoi: a e shihni shpenzimin e Tij që prej krijimit të qiellit dhe tokës, nuk është pakësuar ajo që është në Dorën e Tij. Arshi i Tij është mbi ujë dhe në Dorën e Tij është peshorja e ul atë ose e ngrit" (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)
Allahu [subhanheu ve teala] thotë: "çkado që t'u jepni të tjerëve nga pasuria, ajo do t'u kompensohet në mënyrë të plotë duke mos u dëmtuar ju." Dhe "Pra çkado që të jepni nga pasuria, s'ka dyshim se atë All-llahu e di shumë mirë." (Bekare – 272,273)
Dije, Allahu më mëshiroftë mua dhe ty, se çdonjëri i cili ka udhëhequr në periudhën e injorancës apo të Islamit, derisa është bërë i njohur me famë të lartë, i janë nënshtruar njerëzit, kanë marrë udhën për tek ai i afërti dhe i largëti, fama e tij nuk është arritur përveç se duke i ushqyer njerëzit dhe duke i nderuar mysafirët. Të gjithë njerëzit me pervojë përgjatë historisë, fetarët e dashamirët e të bukurës janë të një mendimi se gjëja më e mirë që njeriu mund ta siguroj për veten në këtë botë dhe gjëja më madhështore që mund ta lë pas vete është bujaria, shoqërimi me bujarët sepse bujaria rezulton përmendjen për të mirë dhe të ngritë famën.
Ai i cili shpenzon, obligohet që me këtë vepër të kërkon kënaqësinë e Allahut "çkado që të jepni nga pasuria, e keni për veten tuaj, po mos jepni për tjetërkë, por vetëm për hir të All-llahut"(Bekare – 272) kurse sa i përket shpenzimit për t'u mburur, kjo nuk është bujaria që lëvdohet, madje mund të jetë edhe mëkat nëse bëhet me mendjemadhësi ndaj robërve të Allahut.
Bujaria ka shumë dobi, prej tyre:
- Allahu [subhanheu ve teala] ia kompenson shpenzuesit "e çkado që t'u jepni të tjerëve nga pasuria, ajo do t'u kompensohet në mënyrë të plotë duke mos u dëmtuar ju." (Bekare 272), siç është përmenduar edhe në hadithin e lartëpërmenduar: "Shpenzo që të shpenzoj për ty".Poashtu Pejgamberi [salallahu alejhi ve sel-lem] thotë: "derisa një njeri ecte ne një hapsirë, dëgjoi një zë që vinte nga një re: ujite kopshtin e filanit, pastaj ajo re lëvizi derisa lëshoi ujin mbi një tokë të djegur nga nxehtësia dhe ja, kur pashë ujin të mbledhur në një gropë. Ky njeri përcolli renë dhe kur arriti te vendi në të cilin ishte lëshuar uji pa një njeri i cili po mundohej të depozitoj ujin dhe i tha: o rob i Allahut, si e ke emrin? Ai ia përmendi emrin që e kishte dëgjuar prej resë, pastaj i tha: përse më pyet për emrin tim? Iu përgjigj: unë dëgjova një zë në renë e cila e lëshoi ujin i cili thoshte: ujite kopshtin e filanit duke prmenduar emrin tënd, për këtë dëshiroj të dij se ç'vepron me këtë kopsht? U përgjigj: pra pasi e kërkove këtë gjë po të tregoj se prodhmin që fitoj nga kjo tokë, një të tretën e saj e jap lëmoshë, me një të tretën ushqehem unë dhe familja ime kurse një të tretën e kthej përsëri në këtë tokë." (Transmeton Muslimi)
- Allahu [subhanheu ve teala] ia shumfishon pasurinë shpenzuesit " Shembulli i pasurisë së atyre që e japin në rrugën e All-llahut është si një kokërr prej të cilës mbijnë shtatë kallinj, ndërsa në secilin kalli ka nga njëqind kokrra. All-llahu ia shumëfishon (shpërblimin) atij që dëshiron, All-llahu është Bujar i Madh, i di qëllimet." (Bekare – 261)
- Shpenzuesi shpreh frikën e tij prej zjarrit të Xhehennemit "Frikojuni prej zjarrit qoftë edhe me gjysëm hurme" (Transmeton Buhariu)
- Gjëja më e mirë më të cilën njeriu mjekohet është lëmosha "mjekoni të sëmuarit tuaj me lëmoshë" (Transmeton Bejhakiu)
- Shpenzimi i pasurisë është mbrotje e saj "mbroni pasuritë tuaja me zekat" (Transmeton Bejhakiu)
- Bujaria është prej cilësive të lavdëruara tek Allahu [subhanheu ve teala] "Allahu është i Mirë dhe e do të mirën, i Pastër dhe e do pastërtinë, Bujar dhe e do bujarinë" (Transmeton Tirmidhiu i cil ithotë: ky hadith është garib kurse Halid ibën Iljas është i dobët)
- Dora e cila jep është më e mirë se dora e cila merr "Dora e lartë është më e mirë se dora e poshtme" (Transmeton Muslimi)
- Bujaria i mbulon shumë të meta të njeriut, thotë Imam Shafiju [rahimehull-llah] :mbulohu me bujari sepse siç është thënë çdo të metë e mbulon bujaria.
Çdo musliman duhet të stoliset më këtë cilësi e në veçanti davetxhinjtë (thirrësit islam) për shkak efektit që ka kjo cilësi për të pranuar njerëzit Islamin. Enesi [radijall-llahu anhu] thotë: "nuk ka lypur ndonjëri prej Pejgamberi [salallahu alejhi ve sel-lem] diçka vetëm se ia ka dhënë. Njëherë i erdhi një njeri, e Pejgamberi [salallahu alejhi ve sel-lem] i dha një tufë të madhe dhensh sa mund të zinte hapsira mes dy kodrave, e pastaj kthehet te populli i tij dhe iu thotë: o njerëz! Pranoeni Islamin sepse Muhamedi jep sikur ai i cili nuk i frikohet skamjes. Enesi [radijallahu anhu] thotë: edhepse njeriu prononte Islamin për shkaqe të dunjasë, nuk kalonte përveç një kohës së shkurtër dhe Islami bëhej më i dashur për të se sa tërë dunjaja dhe ajo që është në të." (Transmeton Muslimi)
Transmeton Ibën Abbasi [radijall-llahu anhu] i cili thotë: "Pejgamberi [salallahu alejhi ve sel-lem] ka qenë njëriu më bujar. Bujaria edhe më tepër i shtohej në muajin e Ramazanit kur takonte Xhibrilin. Xhibrili takohej me të çdo natë të Ramazanit dhe ia dëgjonte leximin e Kur'anit, pra Pejgamberi [salallahu alejhi ve sel-lem] ishte më bujar se era e lehtë"
Ibën Ebi Hatimi me sened të tij transmeton se Alij ibën Ebi Talibi [radijall-llahu anhu] ka thënë: Atij që Allahu i ka dhënë pasuri le ta shfytëzojë atë për mbajtjen e lidhjeve farefisnore, për mikpritje të mirë, për ti ndihmuar nevojtarit, robit, udhëtarit, të mjerit, të varfërit, muxhahidit dhe le të jetë durimtar në fatkeqësi sepse me këto cilësi fitohet bujaria në këtë dunja dhe fama në Ahiret;
Është pyetur Haseni [radijall-llahu anhu] : cili është bujar? Është përgjigjur: ai i cili po të posedonte tërë dunjanë do ta shpenzonte atë dhe përsëri do të mendonte se edhe më tej ka obligime.
Transmetohet se Hudhejfe elAdevij ka thënë: ditën kur ngjau beteja e Jermukut u nisa për të kërkuar djalin e axhës tim në mesin e të vrarëve. Me vete kisha pakëz ujë dhe mendoja që nëse akoma ka frymëmarje do t'i jap nga uji që kisha me vete. Kur e gjeta në mesin e viktimave, iu afrova dhe i thash: të të jap ujë? Ai më dha shenjë pozitive. Ndërkohë dëgjuam një këlthitje dhe djali i axhës më dha shenjë që të shkoj te personi që këlthiste dhe ujin që kisha t'ia jap atij. Kur arrita tek ai e pash se ishte Hisham ibën Asi të cilin e pyeta: dëshiron ujë? Ai më dha shenjë pozitive mirëpo në këtë momënt dëgjuam një këlthitje tjetër dhe Hishami më dha shenjë që të shkoj tek i treti dhe ujin që kisha t'ia jap atij. Kur shkova, ai veç më kishte vdekur. U ktheva te Hishami mirëpo e gjeta të vdekur. U ktheva edhe te djali i axhës tim mirëpo edhe ai kishte vdekur.
Një njeri prej fisit Kurjesh ishte nisur në udhë. Duke udhëtuar takoi një udhëtarë në mes të rrugës të cilin e kishte lodhur udha dhe e kishte molisur sëmundja. i sëmuri i tha kurejshitit: zotëri më ndihmo! Kurejshiti urdhëroi djalin e tij që pasuria që i kishte mbetur ta shpenzojë për këtë udhëtarë të sëmurë dhe djali i lëshoi në prehër katër mijë dirhem. I sëmuri deshi që të ngritet në këmbë mirëpo nuk mundi për shkak dobësisë dhe filloi të qajë. Kurejshiti i tha: pse qan, nuk mundesh të pamvarësoshesh me atë që ta dhamë? Ai ia ktheu: jo për Zotin, por m'u kujtua dobia që ka toka nga bujaria yte dhe kjo më bëri të qaj.
Kur Kajs ibën S'ad ibën Ibaden e kaploi sëmundja, shumë pak prej vëllezërve të tij muslimanë e vizituan. Pasi që pyeti për këtë i thanë: ata turpërohen të të vizitojnë për shkak borxheve që të kanë marrë. Kajsi tha: Allahu e poshtëroftë pasurinë e cila i pengon vëllezërit të më vizitojnë, pastaj urdhëroi një tellall që të thërret: të gjithë ata që i kanë borxh Kajsit e kanë të falur. Në mbrëmje gati që nuk i thehet pragu i derës nga vizita e madhe e njerëzve.